Secondary Adv

2 tubime sot në Tiranë, policia publikon planin e masave: Rrugët që bllokohen

Disa nga akset kryesore të kryeqytetit do të jenë të bllokuara nga ora 16:00 deri në përfundim të aktiviteteve.

Policia e Tiranës ka publikuar planin e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në kuadër të dy aktiviteteve që do të zhvillohen pasditen dhe mbrëmjen e sotme në kryeqytet. Bëhet fjalë për protestën e 13-të që do të mbahet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe aktivitetin e organizuar për 35-vjetorin e Partisë në sheshin “Italia”.

 

Sipas njoftimit zyrtar, duke nisur nga ora 16:00 dhe deri në përfundim të aktiviteteve, do të ketë kufizime dhe bllokime të qarkullimit në disa prej rrugëve kryesore të Tiranës, me qëllim mbarëvajtjen e aktiviteteve dhe garantimin e sigurisë së pjesëmarrësve.

 

Akset që do të bllokohen

Policia bën me dije se qarkullimi i automjeteve do të ndalohet në rrugët “Papa Gjon Pali II”, “Dervish Hima”, “Faik Konica”, “Lek Dukagjini”, “Gjergj Filipi”, “Hasim Zeneli” dhe “Themistokli Gërmenji”. Kufizime do të ketë gjithashtu edhe në rrugën “Ibrahim Rugova”, në segmentin nga kryqëzimi me rrugën “Libri Universitar” deri te sheshi “Shopen”.

 

Po ashtu, do të bllokohet qarkullimi edhe në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, deri në sheshin “Nënë Tereza”, zonë ku do të zhvillohet një nga aktivitetet e planifikuara.

 

Apeli i policisë për qytetarët

Policia e Tiranës u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë mirëkuptim për kufizimet e përkohshme të qarkullimit, të përdorin rrugë alternative për lëvizjen në qytet dhe të zbatojnë udhëzimet e punonjësve të policisë të angazhuar në terren.

 

Autoritetet theksojnë se masat janë marrë për të garantuar zhvillimin normal të aktiviteteve dhe sigurinë publike gjatë gjithë kohëzgjatjes së tyre.

 

Burimi: Euronews


Më të lexuarat